Kryebashkiakja Emiriana Sako uron sot me rastin e 7 Marsit arsimtarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.
Duke shprehur respekt dhe mirënjohje për mësueset e mësuesit që me punën e palodhur, përkushtimin, pasionin dhe dashurinë e tyre përgatisin dhe edukojnë brezat e rinj, për të ndërtuar të ardhmen, Sako i falënderon njëkohësisht për gjithçka që kanë bërë në dobi të arsimit në Durrës, por edhe për modelin pozitiv që mësuesit transmetojnë në komunitet.
“Arsimi është prioritet për bashkinë që unë drejtoj. 10 vitet e fundit janë rikonstruktuar dhe ndërtuar në qytetin tonë 70 shkolla, kopshte e çerdhe që ofrojnë kushte bashkëkohore dhe ambiente moderne për fëmijët, nxënësit dhe stafin pedagogjik. Durrësi është një qytet ku arsimi dhe kultura janë mjaft të zhvilluara, dhe kjo, falë punës dhe sakrificave të të gjithë mësuesve të çdo kohe“, thekson Sako.
“Uroj të gjithë arsimtarët: shëndet e jetë të gjatë dhe suksese në misionin e madh për edukimin e brezave. Të gjithë mësueset dhe mësuesit, si dhe puna e tyre fisnike do të kujtohen dhe vlerësohen gjithmonë me respekt e nderim të thellë”, përfundon urimin e saj.






