Dy javë pasi u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre, testamentet e Gene Hackman dhe Betsy Arakawa janë bërë publikë.
Hackman i ka lënë bashkëshortes së tij, Arakawa, pasurinë e tij prej 80 milionë dollarësh. Aktori legjendar i cili vuante nga Alzheimeri nuk e kishte ndryshuar testamentin që prej vitit 2005.
Nuk është e qartë nëse tre fëmijët e tij, Christopher, 65 vjeç, Leslie, 58 dhe Elizabeth, 61 janë përmendur në dokument.
Vdekja e Arakawa ndodhi një javë përpara asaj të Hackman dhe me gjasë paratë do t’u kalojnë fëmijëve të tij dhe ish-gruas, Faye Maltese.
Për shkak të dyshimeve për përfituesit e testamentit të Hackman, mund të ndodhë një betejë ligjore midis djalit, i cili ka punësuar një avokat të fuqishëm dhe dy motrave të tij.
Pasuria e Arakawa ka kaluar në një fond që do të shlyejë borxhet e saj shëndetësore përpara se të shpërndahet në organizata të ndryshme bamirësie. Në testamentin e saj, ka një shtojcë ku thuhet se nëse ajo dhe aktori ndërronin jetë brenda 90 ditësh, vdekjet e tyre do të konsideroheshin të njëkohësishme.
Në rast se bashkëshorti do të jetonte më gjatë, pjesa më e madhe e pasurive të saj do t’i kalonin atij. Çifti nuk kishte fëmijë.
Muajin e shkuar, 95-vjeçari u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në New Mexico. Trupi i tij u gjet më 26 shkurt, por mendohet se ka ndërruar jetë më 18 shkurt sipas pajisjes që regjistronte aktivitetin e tij shëndetësor. Pa e ditur, për shkak të sëmundjes degjenerative të trurit ai jetoi për një javë me trupin e bashkëshortes.
65-vjeçarja vdiq më 11 shkurt për shkak të sindromës pulmonare së hantavirusit, një sëmundje që shpërndahet kryesisht nga jashtëqitjet e brejtësve. Rrethanat sesi ajo e mori këtë sëmundje janë të paqarta.