Renato Arapi do të donte që shorti t’i rezervonte tjetër kundërshtar, e megjithatë kjo nuk e pengon që të besojë te kualifikimi.
Pak ditë para përballjes me Beitar Jeruzalem, kapiteni paralajmëron se do të bëjnë të pamundurën për të kaluar turin e parë të Ligës së Europës.
Ai rrëfen se tashmë i njohin mjaftueshëm izraelitët dhe veçon si lojtarin që duhet pasur në survejim sulmuesin Levi Garsia.
Jeni gati për të kaluar Bietarin?
Besoj se deri të enjten do të jemi gati për ndeshjen me Beitarin. Këto ditë që ishim në Pukë morëm ngarkesë jo të vogël dhe mund të them që jemi në rrugën e duhur.
Fakti që luhet me ndeshje teke, a ju shton shanset për kualifikim?
Sigurisht që të favorizon fakti kur luhet një ndeshje teke, por në anën tjetër duhet edhe shumë kujdes. Çdo gabim të penalizon dhe nuk ke kohë për rikuperim. E megjithatë, ne luajmë në shtëpinë tonë dhe ky është një faktor plus, pasi ne njohim çdo pëllëmbë të asaj fushe.
Keni pasur kohën e nevojshme për të mbledhur informacion për Beitarin, çfarë kundërshtari është?
Besoj që kemi marrë mjaftueshëm informacione mbi kundërshtarin. I kemi analizuar pikat e forta dhe pika e dobëta që ata kanë.
Dhe cilat janë pikat e dobëta?
Pikat e dobëta nuk mund t’i them për arsye profesionale.
Cili është lojtari më i rrezikshëm i tyre?
Një ndër pikat më të forta të Beitarit është sulmuesi Levi Garsia.
Vendosët të qëndronit në Durrës, i vështirë vendimi?
Kryesorja që më bindi ishte ruajtja e grupit me 90% dhe vazhdimi i një cikli, që personalisht shpresoj shumë tek arritje edhe më të mëdha.
Largimi i Kallakut a e ka dëmtuar ekipin?
Një lojtar me aftësitë e Kallakut lë një boshllëk shumë të madh, duke parë edhe opsionet që kemi në Shqipëri për ta zëvendësuar. Por, shpresoj që klubi të afrojë sa më parë një futbollist me tiparet e tij. Kallakut i uroj shumë suksese. Besoj se ka bërë zgjedhjen e duhur për t’u ngritur si lojtar.





