Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim në rubrikën “Sy m’Sy” me qytetarët në rrjetet sociale ironizoi edhe opozitën pas akuzave se PS i ka kopjuar programin.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se kjo është qesharake, a thua se bëhet fjalë për ndonjë kod kasaforte apo Kodi të Da Vinçit.

“Qajnë hallin pensionistëve. Qajnë hallin edhe se u kopjua programi. Është gjëja më qesharake, a thua se bëhet fjalë për ndonjë kod atomik, apo kod kasaforte të ndonjë sekreti. U kopjua kodi i Da Vinçit. Megjithëse iu qajnë hallin pensionistëve, nuk japin kontributin e tyre për Fondin e Sigurimeve Shoqërore, deri këtu është niveli i banaliteti dhe hipokrizisë dhe krijesave kënetore”, shprehet Rama.

Ndër të tjera, Rama u shpreh se PS ka një program që do të integrojë Shqipërinë në Bashkimin Europian.

“Ndërkohë që e vërtetë është shumë më ndryshe, që nga fakti që vonesa apo kohëzgjatja e negociatave nuk është diçka që lidhet me mua dhe qeverinë tonë thjeshtë. Përcaktojnë edhe këtë si një mëkat të Rilindjes, por është një fakt që shikohet fare kollaj. Ne kemi një program me të cilin do të anëtarësojmë Shqipërinë në BE”, thekson Rama.