Tashmë qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut duke paguar më pak për siguracionin e makinës. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka bërë me dije se duke filluar nga data 1 Prill 2025 qytetarët shqiptarë do të paguajnë policën e sigurimit “Kartoni Jeshil” për autoveturat me çmim të reduktuar 50 euro, me afat kohor 1-vjeçar.

Kjo është masa e dytë që ndërmerret në një hark të shkurtër kohor,  për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendeve kufitare, pas hyrjes në fuqi më 1 Shkurt 2025 të policës së sigurimit “Karton Jeshil” 1-vjeçar me Malin e Zi.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njoftoi se kjo tarifë e re ka ardhur edhe si pasojë e rekomandimeve të komitetit të përbashkët, të marrëveshjes së tregtisë  së lirë, për lehtësimin e lëvizjes mes vendeve të rajonit.

Kartoni jeshil është  një detyrim ligjor për çdo udhëtim jashtë territorit që mbulon dëmet e mundshme që mund të ndodhin.

Edhe me këtë vendim për çmimin e ri, sërish qytetarët kanë të drejtë të presin karton jeshil për Maqedoninë e Veriut me të njëjtat kushte, 15 euro për dy javë. Sipas të dhënave një masë e tillë lehtësuese vjen, sepse dëmet me vendin fqinj nuk janë të larta.