Kur na ndajnë 41 ditë nga zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, duke i paralajmëruar që të mos hapin zyra elektorale jashtë zonave të përcaktuara për ta.
Sipas Ramës, deputetët janë të lirë të zhvillojnë takime kudo, por pa përdorur strukturën e partisë për fushatë personale. Ai ka theksuar se struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët dhe nuk duhet të shfrytëzohet për interesa individuale.
“Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën”, thuhet në mesazhin e tij.
Gjithashtu, Rama ka tërhequr vëmendjen e kandidatëve të listës së mbyllur, duke theksuar se ata nuk kanë nevojë të bëjnë fushatë për veten. Ai u ka kërkuar që të mos mbështesin kandidatët e listës së hapur, por vetëm Partinë Socialiste dhe numrin 5 në fletën e votimit.
“Të gjithëve duhet t‘u thonë: ‘Tek vota preferenciale jeni të lirë!’ Po ashtu, deputetët në listën e hapur nuk duhet t’u kërkojnë kolegëve të listës së mbyllur vota, pasi kjo prish barazinë e garës dhe çorodit strukturën”, thekson Rama në mesazhin e tij.
