Bashkëkryetari i koalicionit “Nisma – Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka zhvilluar një takim me diasporën shqiptare në Londër, ku prezantoi pikat kryesore të programit qeverisës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në fjalën e tij, Lapaj vuri theksin te votimi i emigrantëve, që sipas tij është një nga arritjet e kësaj force politike. Ai u shpreh se koalicioni synon të kthejë Shqipërinë në një republikë të ligjit, përmes reformës në sistemin juridik dhe zgjedhor.
“Sot sistemi është i mbyllur, në duart e kryetarëve të partive politike. Ne do të vëmë kushtet tona për hapjen e ligjit zgjedhor,” – tha ai.
Lapaj gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të mos shesin votën, duke theksuar se qëllimi i tyre është “çarja e sistemit që ka bllokuar garën dhe përfaqësimin e qytetarëve.”