Një risi në fushën e mjekësisë pritet të sjellë revolucion në jetën e pacientëve që nuk mund të flasin për shkak të paralizës. Revista shkencore Nature Neuroscience ka publikuar një studim mbi një neuroprotezë të re, që premton të kthejë mendimet e njeriut në zë të folur dhe tekst të shkruar në kohë reale.
Teknologjia, e cila funksionon me algoritme të ngjashme me Alexa dhe Siri, do të instalohet në tru përmes një procedure kirurgjikale, dhe do të përpunojë sinjalet nervore të zonave përgjegjëse për të folurit.
Kjo pajisje mund t’u japë zë personave që për shkak të dëmtimeve neurologjike nuk kanë mundësi të komunikojnë. Ndërsa studimi është ende në fazat e hershme, mjekët besojnë se teknologjia mund të transformojë jetën e pacientëve dhe familjarëve të tyre. Sidoqoftë, sfidat përfshijnë kostot e larta dhe nevojën për përmirësim të mëtejshëm përpara se të hidhet në përdorim masiv.