Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar sot një letër urimi Kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, Dmytro Oleksandrovych Razumkov Razumkov, me rastin e Ditës së Pavarësisë.
“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Ju dërgoj urimet më të ngrohta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht.
Deklarata e Pavarësisë dhe rithemelimi i Ukrainës si një shtet i pavarur më 24 gusht 1991 është një ngjarje historike për popullin e Ukrainës, mirëqenien dhe të ardhmen e tij.
Populli shqiptar ushqen ndjenjat e respektit dhe të miqësisë me popullin e Ukrainës. Kjo miqësi mbështet e ushqehet edhe nga prezenca e Diasporës shqiptare në Ukrainë, e cila duke qenë e mirëintegruar dhe në bashkëjetesë me popullin ukrainas, ruan dhe konsolidon identitetin kombëtar dhe shërben si një urë miqësie e bashkëpunimi midis të dy vendeve.
Bashkëpunimi midis vendeve tona mund të fuqizohet e zgjerohet, sidomos në sektorët me potenciale më të mëdha zhvillimi, si bujqësia, turizmi, transporti, energjia, arsimi, kultura etj.
Me këtë rast, dëshiroj të vë në dukje vendosmërinë e Shqipërisë në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.
Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Ukrainës do të vijë duke u forcuar dhe me këtë rast kam kënaqësinë t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj.”, shkruan Ruçi.





