Shumë nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës janë kthyer prej rreth një muaji në kantier ndërtimi. Si ato në qytet, ashtu edhe to në njësi administrative, kryeministri Rama ka kërkuar që të jenë gati për nxënësit më 26 nëntor.

Mbrëmjen e sotme ai ka publikuar shumë foto nga punimet që po kryhen në gjimnazin “16 shtatori” në Shijak. Ndërsa në postimin që ia dedikon punimeve që po kryhen në shkollën 9-vjeçare “Xhelal Shtufi” në Shkafanë, Ishëm, Rama thekson se janë 32 shkolla dhe kopshte që do të rilindin pas tërmetit të frikshëm. Ndërsa në të gjithë zonat e dëmtuara nga termeti do te rindertohen 143 shkolla të reja.

Ditët e fundit, kryeministri ka publikuar shumë foto dhe materiale video nga puna që po realizohet në terren me shkollat e dëmtuara të Durrësit.

“Gjimnazi “16 Shtatori” në Shijak, u rrënua 26 nëntorin e shkuar, por 26 nëntori që po vjen do të rihapë dyert e rilindur për nxënësit dhe mësuesit, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave Europiane.

143 SHKOLLA TË REJA me standarde europiane, të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të sojsojshme të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të #ShqipërisëqëDuam,- shkruan kryeministri për shkollën e mesme në Shijak.

“32 SHKOLLA DHE KOPSHTE do të rilindin pas 26 nëntorit tragjik në Durrës, më të mëdha, më të bukura me të gjitha kushtet e shkollave e kopshteve kudo në Europë. Hidhini një sy shkollës 9-vjeçare “Xhelal Shtufi” në Shkafanë, Ishëm, ku nxënësit dhe mësuesit do të hyjnë këtë 26 nëntorShkolla 9-vjeçare “Xhelal Shtufi” në Shkafanë, Ishëm, u rrënua 26 nëntorin e shkuar, por 26 nëntori që po vjen do të rihapë dyert e rilindur për nxënësit e mësuesit, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e kopshtet e komunave Europiane”,– shkruan Rama.