Kryeministri Rama ka postuar mbrëmjen e sotme shumë foto sesi do të duket shkolla “Njazi Mastori” në Sukth, pasi të përfundojë procesi i rindërtimit të saj. Shkolla mbeti e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe Instituti i Ndërtimit vendosi për shembjen e saj dhe rindërtimin e një shkolle të re.

Sipas kryeministrit, shkolla e re, që pritet të hapë dyert më 26 nëntor, do të jetë njësoj si shkollat kudo në Evropë.

“950 nxënësit e shkollës “Njazi Mastori” në Sukth të Durrësit, 26 nëntorin e shkuar mbetën pa strehë mësimore por në 26 nëntorin që po vjen, shkolla do të hapë dyert për ta, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat kudo në qytetet e Europës”.– shkruan Rama.

Në Durrës janë gjithsej 27 institucione arsimore (shkolla, kopshte dhe çerdhe) që do të ndërtohen nga e para apo do të rikonstruktohen.

Kryeministri Rama thekson se 143 shkollat e reja në të gjithë vendin pritet të përfundojnë brenda vitit 2021.

“143 SHKOLLA TË REJA me standarde europiane, të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të sojsojshme të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të #ShqipërisëqëDuam”,– e mbyll postimin e tij Rama.