Policia Bashkiake Durrës ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për qarkullimin e mjeteve dhe parkimet e ndaluara në disa nga rrugët kryesore të qytetit në datat 8 dhe 9 maj, në disa orë të caktuara të këtyre ditëve, për shkak të zhvillimit të aktivitetit “Giro d’Italia 2025”.

Në njoftim, Policia Bashkiake specifikon të gjitha rrugët ku do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve dhe njëkohësisht paralajmëron qytetarët se mjetet që do të jenë të parkuara në kundërshtim me urdhrin do të largohen me karrotrec.

Përjashtim nga ky urdhër bëjnë vetëm mjetet e policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes Komunale Plazh dhe Ndërmarrjes Rruga.

Në të njëjtën kohë, Policia fton qytetarët “t’i bashkohen këtij eventi sportiv dhe ngjarjeje madhështore së bashku me familjet dhe fëmijët tuaj, përgjatë itinerarit të garës – për të mbështetur sportistët dhe për të festuar së bashku këtë moment historik për qytetin e Durrësit”.

Nga 9 deri më 11 Maj, Durrësi, Tirana dhe Vlora do të mirëpresin 180 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota, në një spektakël sportiv që vendos vendin tonë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

NJOFIM I RËNDËSISHËM

Në zbatim të urdhrit nr. 104, datë 23.04.2025, “Mbi organizimin e planit të lëvizjes së automjeteve në qytetin e Durrësit në kuadër të aktivitetit Giro d’Italia 2025”, njoftojmë qytetarët se:

Në kuadër të zhvillimit të etapës së parë të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025”, e cila do të nisë nga qyteti i Durrësit më 9 maj 2025, do të ketë ndryshime në qarkullimin dhe parkimin e automjeteve, sipas planit të mëposhtëm:

Ndalim parkimi

Datë 08.05.2025, ora 07:00 – 09.05.2025, ora 14:00

Segmentet e rrugëve :

• Rruga “Mars 91” (nga rr. Ligurnika deri te rr. e Kishës Ortodokse)

• Rruga “Taulantia” (nga ish-hotel “Vollga” deri te hotel “Arvi”)

• Rruga “Anastas Durrsaku” (nga ish-hotel “Vollga” deri te gjimnazi “Gjergj Kastrioti”)

• Rruga e Kalasë (nga “Mulliri i Vjetër” deri te rruga “Sotir Noka”)

Ndalim parkimi

Datë 08.05.2025, ora 07:00 – 09.05.2025, ora 18:00

Parkimi publik i shëtitores “Taulantia” (prapa restorant “Piazza”)

Ndalim qarkullimi dhe parkimi

Datë 09.05.2025, ora 05:00 – 14:00

• Rruga “Mars 91”

• Rruga “Egnatia” (nga rr. e Kishës Ortodokse deri te “Taulantia” – hotel “Arvi”)

• Segmenti: Torra Veneciane – Bulevardi Epidamn – Sheshi “Liria” – Rr. “Aleksandër Goga” – Mauzoleumi i Dëshmorëve

• Rruga e Dëshmorëve – Rruga “Adria” – Ura e Dajlanit – Rruga “Pavarësia” (nga ura e Dajlanit deri te kanali i Kavalishencës)

Përjashtime

Lejohet qarkullimi i mjeteve të policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes Komunale Plazh dhe Ndërmarrjes Rruga.

Masa për mosrespektim

Në rast të mosrespektimit të këtyre ndalesave, Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të ndërhyjë për largimin e automjeteve të parkuara në kundërshtim me urdhrin, nëpërmjet shërbimit të karrotrecit, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Ftojmë qytetarët të tregojnë mirëkuptim dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e këtij eventi të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, duke respektuar ndalesat e përkohshme të parkimit dhe qarkullimit. Bashkëpunimi juaj është thelbësor për një organizim dinjitoz dhe për të treguar mikpritjen që na karakterizon.

GIRO D’ITALIA vjen për herë të parë në Shqipëri!

Nga 9 deri më 11 Maj, Durrësi, Tirana dhe Vlora do të mirëpresin 180 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota, në një spektakël sportiv që vendos vendin tonë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Ju ftojmë të dilni dhe ta përjetoni këtë ngjarje madhështore së bashku me familjet dhe fëmijët tuaj, përgjatë itinerarit të garës – për të mbështetur sportistët dhe për të festuar së bashku këtë moment historik për qytetin e Durrësit.