Për dy ditë me radhë, më 8 dhe 9 maj, në disa nga akset rrugore të Durrësit do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve. Masa e ndërmarrë nga autoritetet lidhet me zhvillimin e etapës së parë të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025”, e cila do të nisë nga qyteti i Durrësit, më 9 maj 2025.
Drejtoria Vendore e Policisë dhe Policia Bashkiake po marrin masat që të garantojnë mbarëvajtjen e këtij eventi mjaft të rëndësishëm sportiv, që për herë të parë vjen në Shqipëri.
Sipas njoftimit për shtyp, të enjten dhe të premten, në qytetin bregdetar do të ndalohet parkimi i mjeteve në akset “Mars 91”, “Taulantia”, “Anastas Durrsaku”, Rruga e kalasë, “Aleksandër Goga”, “Pavarësia” etj si dhe në parkimin e madh publik në shëtitoren “Taulantia”, nga ora 08.00 e së enjtes deri në orën 15.00 të së premtes.
Ndalim parkimi
Datë 08.05.2025, ora 08:00 – 09.05.2025, ora 15:00
Segmentet e rrugëve:
Rruga “Mars 91” (nga rr. Ligurnika deri te rr. e Kishës Ortodokse)
Rruga “Taulantia” (nga ish-hotel “Vollga” deri te hotel “Arvi”)
Rruga “Anastas Durrsaku” (nga ish-hotel “Vollga” deri te gjimnazi “Gjergj Kastrioti”)
Rruga e Kalasë (nga “Mulliri i Vjetër” deri te rruga “Sotir Noka”)
Parkimi publik i shëtitores “Taulantia” (mbrapa restorant “Piazza”)
Rruga e Re e Portit
Rruga “Aleksandër Goga”(nga Prefektura deri te Muzeu Dëshmorëve)
Rruga “Dëshmorëve” (nga Muzeu deri te Stacioni i Trenit)
Rruga “Adria”(nga Stacioni i Trenit deri te Ura e Dajlanit)
Rruga “Pavarsia”(deri në Plepa)
Ndërkohë, të premten nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në akset “Mars 91”, “Egnatia”, bulevardi “Epidamn”, sheshi “Liria”, “Aleksandër Goga”, rruga e “Dëshmorëve”, “Adria” dhe “Pavarësia” në plazh, në harkun kohor 11.00 – 14.00.
Ndalim qarkullimi dhe parkimi
Datë 09.05.2025, ora 11:00 – 14:00
Rruga “Mars 91”
Rruga “Egnatia” (nga rr. e Kishës Ortodokse deri te “Taulantia” – hotel “Arvi”)
Segmenti: Torra Veneciane – Bulevardi Epidamn – Sheshi “Liria” – Rr. “Aleksandër Goga” – Mauzoleumi i Dëshmorëve
Rruga e Dëshmorëve – Rruga “Adria” – Ura e Dajlanit Rruga “Pavarësia”
Qarkullimi i automjeteve do të ndalohet të premten nga ora 11:00 deri më orën 15:00 në autostradën “Plepa-Bishti i Zhurit-Elbasan”, ndërsa kalimi i këmbësorëve do të ndalohet nga ora 11:00 deri në orën 14:00, në rrugën “Taulantia”, “Anastas Durrsaku” dhe rrugën paralel me portin.
Kufizime do të ketë edhe në portin më të madh në vend, pasi më datë 9 maj do të ndalohen hyrje-daljet nga porti në orën 11:00 deri më orën 15:00.
Nga 9 deri më 11 Maj, 3 qytete të vendit tonë, Durrësi, Tirana dhe Vlora do të mirëpresin 180 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota, që do të zhvillojnë etapën e parë të edicionit të 108-të të garës çiklistike “Giro d’Italia 2025”,, që do të përmbyllet në kryeqytetin italian Romë, më datë 1 qershor.





