Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer ka vizituar Portin e Durrësit, ku u prit nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha.

Pas këtij takimi, Hoxha ka bërë një postim në rrjetet e tij sociale, ku shkruan për takimin e tij me Starmer dhe marrëdhënien e Shqipërisë me Britaninë e Madhe.

Dyshja zyrtare pa nga afër masat e kontrollit kufitar në portin e Durrësit, teksa Hoxha thekson se dy vendet kanë ndërtuar një histori suksesi siç e cilëson ministri, në menaxhimin e migracionit të paligjshëm.

“Prita sot Kryeministrin e Britanisë së Madhe Keir Starmer, në të parën vizitë zyrtare në Shqipëri, dhe pamë nga afër masat konkrete e kontrollet kufitare në Portin e rëndësishëm të Durrësit.

Së bashku me Britaninë e Madhe kemi ndërtuar histori suksesi, në menaxhimin e migracionit të paligjshëm.

Fola me Kryeministrin Starmer mbi rezultatet e konferencës së fundit që u mbajt në Londër ku mora pjesë si përfaqësues i palës shqiptare.

Me Anglinë kemi ndërtuar një bashkëpunim të fortë dhe efikas. Ndihma e tyre ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve tona policore. Tashmë kemi oficerë të Policisë së Shtetit që punojnë në skuadra të përbashkëta hetimore me Policinë britanike.

Ndajmë bindjen se rezultatet mbresëlënëse kundër migracionit të paligjshëm do t’i zgjerojmë edhe në fushën e luftës kundër krimit të organizuar”, shkruan Hoxha.