Teuta e ka mbyllur sezonin me një humbje ndaj Laçit, duke i dhuruar një kualifikim më pak në dënimin e dhënë nga UEFA (mbeten 9 kualifikime). Durrsakët janë mundur 2-3 në shtëpi nga Laçi, që duket se nuk e kishte humbur aspak ritmin, edhe pse e kishte siguruar kualifikimin në Europa League.
Spektakël në Durrës, por në fund feston Laçi duke i bërë një mbyllje kampionatit të 81-të me 64 pikë në vendin e tretë. Ka qenë një ndeshje e luftuar nga fillimi deri në fund, paçka se skuadrat i kishin arritur objektivat dhe rezultati nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. Teko u bë hero për kurbinasit me një dopietë, ndërsa kryegolashënuesi më i mirë, Kirian Nuabueze, shënoi nga 11-metra dhe më pas e katranosi në pjesën e dytë, duke dalë me karton të kuq pas një ndërhyrje të rëndë ndaj mbrojtësit Hrejliç. Goli i Emiljanos Vilës në pjesën e parë dhe Lorenco Vilës në pjesën e dytë, nuk e ndihmuan Teutën të merrte të paktën një pikë.Në fund dogji shansin e barazimit sulmuesi Rubin Hebaj, i cili shpërdoroi një penallti, por këtu ka meritë portieri i Laçit, Sali. Teuta e mbyll kampionatin në vendin e pestë, por kualifikohet automatikisht në Europë, pasi Skënderbeu i vendit të katërt është i dënuar. Sido që të shkojë finalja e Kupës, durrsakët do të luajnë në Europë.





