Një skandal i rëndë ka shpërthyer në futbollin maqedonas, pasi ish-.presidenti i Federatës së Futbollit, Ilço Gjorgjioski, akuzohet bashkë me 23 persona të tjerë për përfitime të paligjshme të të ardhurave që duhej të kishin destinacion futbollin në vend.
Ish-financierja e FFM-së, Olgica Mladenoska, ka qenë ndër të akuzuarit kryesorë në çështjen e hapur nga policia e cila po heton shkelje të panumërta si falsifikimi i bilanceve, tjetërsim apo pastrim parash.
Ish-zyrtarët e FFM-së kanë përfituar qindra mijëra euro nëpërmjet tenderave fiktivë, apo duke vendosur shifra fiktive në marrëveshjet e tyre me kompanitë që ofronin shërbime, ndërsa bënin jetë luksi me shpenzime e pushime në vende ekzotike me fondet e institucionit.
Ngjarja ka bërë shumë bujë, pasi prej kohësh përflitej se po bëheshin hetime në Federatën e Mqedonisë së Veriut, ndërsa sot ka ardhur edhe akuza zyrtare nga Prokuroria për personat e përfshirë në këtë çështje.
Presidenti aktual i FFM.-së, Muamed Sejdini, doli sot me një komunikatë ku shpjegoi se kishte qenë ndër të parët që kishte lajmëruar autoritetet për dyshimet për tjetërsim të fondeve nga ish-zyrtarët e këtij institucioni.
Ai theksoi se po kontrolloheshin të gjitha pagesat që ishin bërë që nga viti 2010, ndërsa ishte informuar edhe UEFA e cila do të dërgonte përfaqësuesit e saj për të audituar fondet që kishte lëvruar në vite në Federatë.





