Publikimi i flamurit Autochtonus në rrjetet sociale nga këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Dua Lipa solli reagim të ashpër nga serbët.

Së fundmi, pas gjithë polemikave babai i Duas, Dukagjin Lipa ka dhënë një intervistë për Adi Krastën ku ka folur gjërë e gjatë për këtë çështje.

Ai tha se ndihet keq kur e cilësojnë si kosovar, duke këmbëngulur se është shqiptar i Kosovës dhe se Dua po ashtu është shqiptare që ka lindur në Britani.

Dukagjini u shpreh  se nuk i imponon të bijës dashurinë për atdheun dhe se çdo postim që ajo e bën është prej saj dhe ndjenjave patriotike që ka për vendin dhe popullin e saj.

“Të gjitha postimet që bën, i bën se i ndjen. Unë asnjëherë nuk e shtyj. Ajo e bën se e do vendin e vet, dhe e ndjen përgjegjësi morale, e bën për të shfrytëzuar platforma të rëndësishme për të lartësuar emrin e shqiptarëve. Unë jam shqiptar, unë nuk jam kosovar, unë jam shqiptar nga Kosova. Dua Lipa është shqiptare që ka lindur në Britani. Ky rast ka zgjuar shumë debat, mes njerëzve, por edhe edhe mes historianëve. Jetojmë në vitin 2020! Ne nuk duam luftën, ne jemi të njohur për paqe. Na duhet të promovojmë vendin tonë”.