Real Madridi është gati të kursejë rreth 300 milionë vetëm për të blerë yllin e futbollit Kilian Mbape. 

Sipas “Deportes Cuatro”, klubi madrilen nuk do të bëjë asnjë blerje për sezonin 2020-2021, por gjatë kësaj periudhe, “Los Blancos” do të mundohen të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme nëpërmjet shitjes së futbollistëve për të garantuar shifrën e çmendur në mënyrë që të kenë mundësinë të blejnë kampionin e botës me Francën.

Megjithëse shifra duket jo reale, duke parë transferimet në merkato në vitet e fundit, reputacionin e Mbapesë dhe sponsorizimet e fuqishme, largimi i tij nga PSG-ja mund të kushtojë më shumë se 300 milionë euro.

Me largimin e Kristiano Ronaldos te Juventusi, Reali u mundua të kompensonte vendin e lënë bosh nga portugezi me Eden Hazardin, por futbollisti belg luajti shumë pak këtë sezon për shkak dëmtimesh duke mos arritur të jepë rezultatin e shumëpritur.

Duke patur parasysh dhe moshën e tij (29 vjeç), Reali kërkon të investojë për një periudhë afatgjatë te një yll me moshë të re dhe Mbape i plotëson kërkesat dhe ambiciet e 13 herë kampionëve të Europës.