Presidenti Ilir Meta ka akuzuar Qeverinë Rama për kaosin e krijuar në Kakavijë me emigrantët shqiptarë të cilët kërkonin të kalonin drejt Greqisë.
Në një konferencë shtypi, Meta tha se qeveria nuk informoi qytetarët për rregullat e reja të lëvizjes që kishte vendosur Greqia.
“Situata në Kakavijë ka të bëjë me përgjegjësinë e pa ushtruar nga ana e qeverisë shqiptare ndaj shtetasve të saj. Është përgjegjësia e saj parësore të marrë të gjitha masat dhe të kujdeset për shtetasit e saj. Çfarë informacioni u është dhënë njerëzve për ata që udhëtojnë jashtë vendit? A ka patur njoftim nga ana e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi kuotën e leje-kalimit mbi 750 persona në ditë? Përgjegjësia është vetëm mbi qeverinë shqiptare dhe shtetin. Radhët e gjata kilometrike janë të pajustifikuara nga autoritetet tona. Një qeveri e përgjegjshme nuk reagon pas krijimit të situatave te jashtëzakonshme, por ajo i parandalon situata të tilla”.
Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i shtetit kërkoi ndjesë në emër të shtetit shqiptar për të gjithë qytetarët që për ditë të tëra kaluan momente tepër të vështira në pikat e kalimit kufitar me Greqinë.
Për 5 ditë me radhë, në pikën doganore të Kakavijës u krijua një radhë 10 kilometra me emigrantë shqiptarë që kërkonin të ktheheshin në Greqi. Situata u qetësua në orët e para të mëngjesit të sotëm kur kaluan edhe qytetarët e fundit që kishin mbetur në radhë.





