Mesfushori i Teutës, Xhoele Maçolli, flet mbi ecurinë e tij këtë sezon. Gjithashtu, edhe për objektivat mbi sezonin e ardhshëm që ka Teuta. Maçolli është i bindur që sezoni i ri do të jetë më i suksesshëm për të personalisht, por dhe për skuadrën.
Xhoele e mbyllët për këtë vit në Durrës. Çfarë note t’i vendosni kampionatit tuaj, pra, ekipit?
Duke parë se si rrodhën ngjarjet, mendoj se kemi bërë maksimumin. Nuk më pëlqen të vendos një notë. Le t’ua lëmë të tjerëve të na vlerësojnë. Personalisht, mendoj se kemi bërë më të mirën.
Viti që vjen do t’ju shohim sërish tek Teuta apo ke rezervuar të tjera plane për të ardhmen?
Duhet ta theksoj se kam një kontratë me Teutën. Dhe s’e kam menduar të ardhmen. Momentalisht dua të jap maksimumin në këtë skuadër, pasi po stërvitem individualisht në këto ditë pushimi që kemi. Më pas, do të bashkohem me ekipin për sezonin e ri.
Çfarë note i vendosni sezonit tuaj tek Teuta?
Notën le t’ua lëmë specialistëve. Ne futbollistët kemi për detyrë vetëm të flasim nëpërmjet topit.
Një episod që Maçolli do ta mbajë mend gjatë nga ky sezon?
Në fakt, s’jam fokusuar tek episodet, por tek i gjithë sezoni. Për mua është një nga edicionet më të bukura dhe shpresoj që të kem kënaqur të gjithë atë që më kanë besuar fanellën e Teutës, nga presidenca e deri te trajneri Hodo.





