Operatorët e transportit publik që kanë nisur të aplikojnë për kompensimin e naftës 50 lekë për litër, duhet të kalojnë një sërë procedurash verifikimi, të cilat për Tiranën zgjasin deri në 35 ditë dhe për rrethet deri 25 ditë.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni pohoi për Monitor se për shumë operatorë të transportit publik, procesi ka nisur me paraqitjen e kërkesës për kompensim, ku krahas saj subjektet po dorëzojnë edhe formularët e vetëdeklarimit për sasinë e karburantit të konsumuar, duke krahasuar periudhën aktuale me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Krahas vetëdeklarimit, operatorët duhet të paraqesin edhe dokumentacionin shoqërues, përfshirë faturat e blerjes dhe ato të daljes.
“Në Tiranë, faza e parë e procesit përfshin verifikimin nga inspektori përgjegjës, i cili shqyrton kërkesën, vetëdeklarimin dhe dokumentacionin përkatës. Ky proces zgjat rreth 5 ditë.
Pas përfundimit të këtij verifikimi, dokumentacioni kalon në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka afat deri në 15 ditë për shqyrtimin e dosjes. Më pas, nevojiten edhe rreth 10 ditë të tjera për verifikimet që kryhen nga Drejtoria e Transportit në Bashki, e cila kontrollon përputhshmërinë e targave të mjeteve të deklaruara me të dhënat e paraqitura për konsumin e karburantit.
Në total, procedura për operatorët në Tiranë mund të zgjasë deri në 35 ditë. Ndërsa për subjektet në rrethe, afati është më i shkurtër dhe llogaritet rreth 25 ditë”, nënvizon ndër të tjera ai.
Operatorët e transportit ngrenë shqetësimin se afatet e gjata të verifikimit mund të ndikojnë në likuiditetin e tyre, veçanërisht në një sektor ku shpenzimet për karburantin përbëjnë një nga kostot kryesore të aktivitetit. Ata kërkojnë që procedurat të përshpejtohen, në mënyrë që kompensimi i përfituar të përfitohet më shpejt dhe të lehtësojë barrën financiare të bizneseve.
Para miratimit të vendimit për dhënie kompensimi në vlerën 50 lekë për litër, Shoqatat e transportit publik ngritën disa herë shqetësimin se rritja e çmimit të naftës ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët.
Me qëllim mosreduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, operatorët u kërkuan institucioneve kompesimin e naftës për 6 muaj dhe rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit.
Në mungesë të reagimit të institucione për dhënie të kompensimit, ku operatorët si në Tiranë dhe rrethe i kanë “duart të lidhura” për rritjen e çmimit të biletës të cilat ndryshojnë vetëm me udhëzim qeverie apo të këshillit bashkiak, u detyruan të reduktojnë deri 60% shërbimin e transporti publik, për gati 2 ditë në të gjithë vendin.
Para reduktimit të shërbimit, si Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dërguan disa herë letra ministrisë së Ekonomisë, ministrisë së Financave dhe Bashkive për vështirësitë financiare të krijuara pas shtrenjtimit të naftës.
Prej tyre edhe në takimin e zhvilluar më 1 Prill me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj u kërkua të zbatohet skema e ngjashme e vitit 2022, ku për shkak të krizës së çmimeve operatorët u kompensuan 6 muaj për naftën me 100 lekë për litër.
Pas reduktimit të shërbimit, qeveria miratoi vendimin për dhënien e kompensimit në masën 50 lekë për litër, për një periudhë 3 mujore, më pak se u kërkua nga shoqatat e transportit. Konkretisht vendimi përcakton se kompensimi do të llogaritet mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.
Efektet financiare llogariten në vlerën e 250,000,000 lekëve apo rreth 2.6 mln euro që do të përballohen në masën e 120,000,000 lekëve nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe 130,000,000 lekë nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit, aplikimet për përfitimin e kompensimit nisën më 30 Maj dhe përfundojnë më 1 Gusht 2026.
Po ashtu, me qëllim që operatorët të mos gjenden shumë shpejt në pamundësi financiare për përballimin e kostove nga çmimet e larta të naftës, kërkuan zgjatja edhe me 3 muaj e periudhës së përfitimit të kompensimit, konkretisht për muajt korrik–shtator./MONITOR





