Nga Andi Bushati
Edi Ramës i ka dalë turpi për të deklamuar me pathos edhe një të vërtetë edhe të kundërtën e saj. Kështu ka bërë tani, në një fjalim, përpara se parlamenti të votonte me 78 vota pro që Ilir Meta nuk e ka shkelur kushtetutën aq rëndë sa të kërkohej shkarkimi i tij.
Lapsi.al ka krahasuar jo vetëm dy vendimet diametralisht të kundërta që ka marrë mazhoranca brenda harkut të një viti, por edhe qëndrimet e argumentat e kryeministrit (linku poshtë).
Në 8 korrik të vitit të kaluar, kur i kërkoi deputetëve të respektonin betimin e bërë dhe të votonin hapjen e proceduarave për shkarkimin e presidentit, ai përdori fjalor, ton dhe logjikë krejt të ndryshme nga kjo e sotmja, ku e ftoi të njëjtën sallë që ta mbanin në post Ilir Metën.
Karagjozllëku është se në të dyja rastet Rama është justifikuar se po e bën një gjë të tillë në emër të interesit kombëtar.
Vjet, ai shpalosi një arsyetim të gjatë se presidenti kishte ikur nga trutë e kokës, se ishte shndërruar në një personazh qesharak, se kishte ringjallur Haxhi Qamilin duke goditur ndërkombëtarët, pra se e kishte humbur çdo lloj kredibiliteti në publik. Përpos këtyre karikaturimeve groteske ai foli edhe për gjëra më të rënda, për frikën nga drejtësia dhe përpjekjet për ndalimin e reformës, për pengimin e përparimit të Shqipërisë drejt BE-së, për një konspiracion të sponsorizuar nga armiqtë e Shqipërisë.
Dhe sipas gjithë këtij vizatimi të Ramës, elektoralisht Rilindjes i voliste të kishte përballë një kundërshtar kaq të diskredituar sa do i bënte votuesit të harronin edhe gabimet e saj. Por, u përbetua ai: “… ne e kemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një gogozhel për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej, sepse për ne, dinjitet i këtij shteti është më i rëndësishëm sesa çdo interes partiak, apo kalkulim elektoral”.
Vetëm 12 muaj më pas, “dinjiteti i shtetit” kaloi ne plan të dytë dhe kryeministri arsyetoi se vëllai i tij armik duhet të vijonte të qëndronte në krye të shtetit. Ai theksoi pa pushim se Komisioni i Venecias kishte arritur në përfundimin se “shkeljet nuk janë mjaftueshmërisht të rënda për shkarkim” dhe se një qeverisje e përgjegjshme, di ta respektojë arbitrin edhe kur verdikti i tij është në të kundërt të bindjeve të saj.
Natyrisht, të dy argumentat edhe ai se Meta duhet hequr qafe ngaqë po shkel kushtetutën edhe ai se duhet mbajtur, pasi krimi nuk ka qenë aq i rëndë, janë në thelb qesharakë.
Ato kanë të bëjë vetëm me hallet momentale të Ramës.
Kur në fillim të korrikut të vjetshëm, ai vendosi të niste procedurën e impieachment, ajo i duhej për të sfumuar zhurmën e zgjedhjeve të para moniste në këto 30 vjet, estradën e atyre votimeve ku dilnin më shumë vota sesa votues, bojkotin masiv që i bënë shqiptarët, asaj farse dhe për goditjen fatale që i dha raporti i OSBE ODHIR-it.
Në atë kohë nuk kishte lëvizje më të mirë për të harruar këtë zinxhir diskreditues sesa shpallja për shkarkimin e presidentit.
Sot, situata është krejt e ndryshme. Regjimit të Ramës po i del boja lokalisht dhe ndërkombëtarisht. Perendimorët i kërkojnë vendime konsensuale dhe i kushtëzojnë me to hapjen reale të negociatave. Venecia i ka nxjerrë në pah fytyrën autarkike të qeverisjes duke i rrëzuar edhe ligjet kundër mediave edhe kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Diplomatët në Tiranë po e shohin gjithnjë e më shumë si një lider që i kanë dhënë më shumë kredite se sa meriton, ndaj tani duhet kufizuar.
Pikërisht kjo është situata e re, në të cilën Rama nuk ka dashur ti shtojë edhe një tjetër andarrallë të panevojshme vetes duke dhënë imazhin e kapësit të pushtetit të fundit që ka mbetur jashtë zgjedhës së tij.
Kaq i thjeshtë është ndryshimi i tij i kursit në raport me Metën.
Por, arsyet taktike të këtij konvertimi kanë pak rëndësi. Edhe nëse e bën për të përmirësuar imazhin, apo thjeshtë për të krijuar një diversion të ri në radhët e kundërshtarëve (njëherë sikur afrohet me PD e njëherëë me LSI-në), përfundimi që ne nxjerrim është i njëjtë: argumentave publikë të Edi Ramës, nuk i duhet besuar. Sepse ai është në gjendje, të na thotë edhe se presidenti duhet shkarkuar edhe se ai duhet mbajtur. Sepse ai është i aftë të votojë edhe se Meta e ka shkelur Kushtetutën, por edhe se kjo nuk përbën një krim të rëndë. Sepse i nuk ka skrupuj të na mbushë mendjen se seriozitetit të shtetit i shërbehet edhe duke ndryshuar kreun e tij edhe duke e mbajtur atë në post.
Sikur edhe vetëm për të shijuar këto pirueta qesharake, kjo farsa një vjeçare e komisionit hetimor Hulusi Manjës, i’a vlente të zhvillohej. /Lapsi.al