Roel Bakiu është vetëm 13 vjeç, por me pasionin e tij të madh ndaj Informatikës dhe aftësitë e shkëlqyera që zotëron në gjuhën e programimit, ka arritur që të krijojë website e shkollës 9-vjeçare ku ai vetë studion.
Prej 2 vitesh Roeli ndjek shkollën “Marie Kaçulini” e sapo ka përfunduar klasën e shtatë. Gjatë këtij viti ai ka arritur të përfundojë me sukses website-n e shkollës, duke i krenuar të gjithë: familjen e stafin shkollor.
Linku i website të shkollës “Marie Kaçulini”: https://mariekaculini.al/

Por si ka arritur Roeli deri këtu? Që në moshë të vogël ai ka punuar fort fillimisht për të mësuar gjuhën angleze e më pas ishin videot informuese që i ndiqte me interes për të mësuar më shumë, duke vijuar deri në ndjekje kursesh profesionale.
Në një prononcim të shkurtër për “DurrësLajm“, Roeli na tregon pak më shumë mbi rrugëtimin e tij:
“Që i vogël kam parë vazhdimisht video në YouTube se si të krijoja lojëra dhe website me anë të kodimit në gjuhën e programimit HTML, CSS dhe Java Script.
Kur isha në klasën e katërt, fillova kurset e nivelit bazë në këto gjuhë programimi. Prindërit më kanë mbështetur gjithnjë duke më dërguar edhe në kurse private në Durrës. Gjithashtu kam ndjekur edhe kurse të ndryshme online”.
Kjo aftësi e Roelit u rrit edhe më tej kur mori certifikatat e para pikërisht nga ndjekja e këtyre kurseve fizike e online. Ai u motivua dhe u nxit cdo ditë e më shumë dhe vazhdoi më tej duke filluar të krijonte një portofol digjital personal.
Certifikimi i fundit ia rriti më shumë vetëbesimin dhe dëshirën për të ecur më tej, duke ndjekur këtë pasion që në një të ardhme me siguri do të jetë dhe tejet fitimprurës për këtë vogëlush…
Disa nga certifikatat dhe punimet e Roelit:










