Jyrgen Klop i është kundërpërgjigjur rivalit të tij, Frenk Lampard, duke i thënë se duhet të mësojë pas incidentit që trajneri i Çelsit pati me stolin e Liverpulit në ndeshjen e së mërkurës në “Anfield”. Kampionët fituan 5- 3 në javën e 37-të të Premier Ligës, një ndeshje që nxehu gjakrat në pjesën e parë pas një faulli të Kovaçiçit që tekniku i bluve të Londrës e kontestoi. Lampard tha pas ndeshjes se ai nuk kishte asnjë problem me trajnerin Klop, por e paralajmëroi Liverpulin që të mos tregohet shumë arrogant.
Pasi dëgjoi disa fjalë nga stoli i të kuqve, Lampard ulëriti në drejtim të asistentit të Klopit, Lijnders: “Si mund të jetë ky një faull? Nuk ka faull atje. Shko ulu atje!” Në këtë pikë ndërhyri Klop, i cili i tha asistentit të tij të ulej dhe i bëri shenjë Lampardit: “Qetësohu, qetësohu, mos fol me numrin tim 2…”.Gjermani nuk e përfundoi dot as fjalinë, ndërsa Lampard iu drejtua: “Jo, jo. Nëse ai më drejtohet mua, do t’i them me patjetër diçka. Shko p… edhe ti”.
Përpara ndeshjes së fundit të sezonit kundër Njukasëllit ditën e nesërme, tekniku gjerman nuk e la me kaq, por sulmoi Lampardin: “Ju nuk mund të më sulmoni mua apo stolin tim në atë mënyrë, sepse ne nuk jemi arrogantë. Frenk dukej qartazi që ishte shumë i karikuar. E respektoj shumë, sepse në një situatë të tillë, në pikëpamjen time, mund të thuash çfarë të duash. Por pas ndeshjes unë mendoj se mbaron gjithçka. E kam thënë shpesh në të shkuarën se emocionet janë të mëdha dhe ne përfshihemi. Ai erdhi këtu për ta fituar ndeshjen dhe të marrë një pikë për të siguruar kualifikimin në Champions. E respektoj shumë këtë.
Ajo që ai duhet të mësojë është që t’i vërë gjithçkaje kapakun me vërshëllimën finale dhe ai nuk e bëri këtë. Të flasësh ashtu pas ndeshjes nuk është në rregull. Frenk duhet të mësojë. Ai ka shumë kohë për të mësuar, sepse është një trajner i ri, por atë duhet ta mësojë. Ne nuk jemi arrogantë. Ne jemi e kundërta e arrogantëve. Në një moment si ai, siç ndodh në çdo debat, nëse thua diçka, e bën për të lënduar personin tjetër. Asnjë problem me këtë, por pas vërshëllimës finale mbylle librin. Ai nuk e bëri këtë dhe kjo është ajo që nuk më pëlqen”.





