Është zbuluar identiteti i 26-vjeçarit shqiptar, i cili u vra me armë zjarri nga një biznesmen italian, pasi tentoi t’i vidhte banesën në bashkëpunim me dy bashkatdhetarë të tjerë.
Rivaldo Rusi, anëtar i bandës shqiptare që kishte tentuar vjedhjen në vilën në Centola, u gjet i groposur disa kilometra larg pronës së biznesmenit.
Ndërkohë ende mbeten mister rrethanat e ngjarjes së rëndë, ku nga të shtënat me armë mbeti i plagosur rëndë një nga hajdutët shqiptar, ndërsa tjetri u arratis.
60-vjeçari qëlloi disa herë me një pushkë gjuetie duke vrarë Rivaldo Rusin, trupin e të cilit më pas e fshehu, si dhe plagosi rëndë një tjetër.
Dinamika e shkëmbimit të zjarrit, kush qëlloi i pari dhe cila ishte sekuenca e të shtënave nuk dihet ende.
Gjithashtu është e paqartë nëse biznesmeni veproi vetëm apo u ndihmua nga dikush në fshehjen e trupit të hajdutit të vrarë.
Të dhënat e para mund të vijnë nga autopsia mbi trupin e 26-vjeçarit Rivaldo Rusi.
Hajduti tjetër i plagosur gjatë grabitjes nga 60-vjeçari, i cili ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë në spitalin Cardarelli në Napoli, u arrestua. Hetuesit kanë zbuluar se ai është me precedentë kriminal dhe ishte në arrati për vepra penale të kryera në Toskanë.
Ishte vetë sipërmarrësi, Aurelio Valiante, i cili zbuloi vendin ku e kishte fshehur trupin e Rivaldo Rusit. Ai e gjeti veten të rrethuar në shtëpinë e tij nga rreth 50 shqiptarë nga provinca e Casertës, përfshirë të afërm dhe miq të të riut të vdekur dhe të plagosur, të cilët donin hakmarrje.
Biznesmeni u paraqit në Prokurori me avokatin e tij, Antonello Natale. Gjatë marrjes në pyetje, pranoi se e kishte qëlluar 26-vjeçarin me armë zjarri dhe më pas e kishte fshehur trupin e tij. Dyshohet se e transportoi trupin e shqiptarit me një fuçi vere, të vendosur në makinë.
Dhe pikërisht në vendin e treguar nga biznesmeni, policia gjeti trupin. Në ato momente në vendngjarje ndodheshin gruaja dhe vjehrra e viktimës.
“Ai bëri një gabim. Por nuk duhej të kishte vdekur kështu. U varros si kafshë. Na la një fëmijë pa baba”, thanë ato.





