Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar. Procesi i konstituimit dështoi për të 43-tën herë, duke shtyrë edhe më tej formimin e institucioneve të reja të vendit. As këtë herë, ligjvënësit nuk arritën të bien dakord me krijimin e Komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Nga 99 deputetë të pranishëm vetëm 55 prej tyre votuan, ndërsa pjesa tjetër nuk morën fare pjesë në votim. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën më 9 korrik në ora 11:00.

Edhe sot, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista Serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA sërish nuk propozuan emra për anëtarë të këtij komisioni, teksa Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit vazhdon të propozojë po Albulena Haxhiun për kryetare, duke insistuar që votimi të zhvillohet përmes një procesi të fshehtë.

Jemi deklaruar të gjithë, nuk votohet Albulena Haxhiu, nuk kalon me votat e PDK-së… Vetëm ata që kanë qenë në kabinetin qeveritar nuk votohen, janë edhe shumë opsione tjera dhe me dëshirë i kishim votuar”, shprehet Rashit Qalaj, Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës.