Matias Lloci ka premtuar, që Teuta do të rikthehet sezonin e ardhshëm edhe më e fortë, pasi këtë të sivjetshmin nuk arriti të fitonte asgjë. Edhe Europën nuk e arriti dot. Lloci shprehet, se ky ishte një sezon për t’u harruar dhe tashmë synimet janë për t’u ringritur e për të arritur sërish te trofetë.

Jeni i keqardhur që nuk arritët asnjë objektiv në këtë fund sezoni?

Ne do të rikthehemi, jam i sigurt për këtë. Do të rikthehemi edhe më të fortë. Sigurisht që ne nuk dëshironim që të ndodhte diçka e tillë. Edhe për ne lojtarët ka qenë shumë e vështirë kjo mbyllje e sezonit pa asnjë objektiv, si dhe të mos arrinim në Europë. Por edhe fati nuk ishte në anën tonë në disa ndeshje. E rëndësishme është që shmangëm “play out”-in.

Si e shihni skuadrën në sezonin e ri?

Teuta me mbështetjen e drejtuesve ia ka dalë të fitojë të gjithë trofetë në vite dhe do të rikthehet sërish të jetë aty. Jam i kënaqur me ambientin në klub, qytetin dhe gjithashtu shokët e ekipit. Normalisht që synimet e Teutës janë të arrijë sa më lart. Dihet që klubi synon gjithmonë majat dhe objektivi do të përcaktohet duke pasur parasysh këtë synim.

Për ju, në aspektin personal, sezoni ka qenë i mirë. Si e shihni të ardhmen?

Unë jam në kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin këtë sezon për të tentuar të bëjmë mirë. Shpresoj të punohet fort për ndërtimin e skuadrës dhe të kemi mundësi të ndërtojmë një grup konkurrues. Kategoria Superiore këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, pasi ka emra ekipesh të mëdha. Por do të tentojmë maksimumin. Besoj që ka qenë sezon i mirë për mua, por tanimë me një ecuri të mirë rikuperuese për sezonin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim.

Çfarë u premtoni tifozëve durrsakë?

Nuk jam një lojtar që bëj premtime para kohe. Do të jap më të mirën, si në stërvitje, edhe në takimet zyrtare. Të tjerat do t’ia lë fushës. Uroj të më vlerësojnë të tjerët për atë çfarë do të jap.