Greqia do të ndalojë për tre muaj të gjitha seancat dëgjimore për azil për migrantët që mbërrijnë me anije nga Afrika e Veriut.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, teksa po listonte në Parlament masat e qeverisë për të adresuar krizën e migracionit pas rritjes së flukseve nga Libia.

Mitsotakis njoftoi krijimin e një strukture të mbyllur të përhershme në Kretë e cila do të mbajë ata që hyjnë ilegalisht në vend.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se qeveria vazhdon dialogun me Libinë dhe shprehu gatishmërinë e Forcave të Armatosura për të parandaluar largimin e anijeve nga brigjet e vendit afrikan.

Kështu, sot Mitsotakis ka thënë se janë marrë këto vendime:

– Pezullimi i shqyrtimit të kërkesave për azilpër 3 muaj për ata që mbërrijnë në Greqi nga Afrika e Veriut me anije. Të gjithë emigrantët që hyjnë në vend do të arrestohen dhe ndalohen.

– Krijimi i një strukture të mbyllur të përhershme në Kretë, duke ndaluar ata që hyjnë ilegalisht. Mund të krijohet edhe një strukturë e dytë.

– Diskutimet me Libinë, me qeverinë legjitime të Libisë Perëndimore dhe me atë të Libisë Lindore vazhdojnë. Forcat e Armatosura janë të gatshme të bashkëpunojnë me autoritetet libiane për të parandaluar largimin e anijeve nga bregu libian.

Ky veprim erdhi pasi mbi 2 mijë migrantë kanë zbarkuar në Kretë, duke shkaktuar zemërim midis autoriteteve lokale dhe operatorëve turistikë.

Një grup tjetër prej rreth 520 personash u shpëtuan pranë Kretës herët të mërkurën dhe do të ridrejtohen në portin e Lavrio-s në Athinë.