Të gjithë drejtorët dhe kryetarët e njësive administrative në varësi të bashkisë së Durrësit kanë dhënë dorëheqjen në 24 orët e fundit.

Në këtë mënyrë ata i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në bashkinë Durrës.

Fatin e mëtejshëm të qëndrimit të tyre në post ose jo do ta vendosë kryebashkiakja Emiriana Sako së bashku me komisionin, në përbërje të të cilit janë deputetët e listës së mbyllur të Partisë Socialiste.

Pritet që në ditët në vazhdim dorëheqja e drejtuesve vendorë të pasohet edhe nga ajo e drejtuesve rajonalë.

Dorëheqjet janë dorëzuar pranë sektorit të burimeve njerëzore në bashki dhe përfshijnë të gjithë drejtuesit e institucioneve nën varësinë e pushtetit vendor në Durrës.

Në kuadër të procesit të ristrukturimit dhe reformimit të administratës vendore, kryeministri Rama ka kërkuar gjatë këtyre ditëve dorëheqjen e drejtorëve në bashkitë Vlorë, Fier, Durrës dhe Elbasan.

Siç njoftoi dhe një ditë më parë “DurrësLajm“, komisioni do të marrë disa ditë kohë për të shqyrtuar performancën e secilit drejtues vendor dhe rajonal, për të vendosur më pas nëse ai/ajo do të vijojë të qëndrojë në post apo do të transferohet në pozicione të tjera.

I gjithë procesi i shqyrtimit të performancës së drejtuesve do të mbyllet brenda muajit korrik.