Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum.

Diplomati gjerman u gjet pa shenja jete në dhomën e hotelit në Kavajë ku ishte akomoduar dhe dyshohet se vdekja ishte për shkaqe natyrale.

“Golem, Kavajë / Informacion paraprak

Rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi W. D, 82 vjeç (ish-ambasadori gjerman).

Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.“, njofton policia.

Werner Daum shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 1987 deri në 1990 dhe hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin arratisjen nga regjimi komunist.

Ish-ambasadori Werner Daum mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, ku ishte i pranishëm edhe Sali Berisha.

Werner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryebashkiaku Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990.