Departamenti i Shtetit filloi largimet nga puna të më shumë se 1,350 punonjësve të tij, ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump po vazhdon me një riorganizim të paprecedentë të trupit të saj diplomatik.
Dhjetëra punonjës të Departamentit të Shtetit mbushën hollin e selisë së agjencisë në Uashington duke duartrokitur kolegët e tyre që janë pushuar nga puna.
Në pamjet e publikuara nga mediat dukeshin punonjësit e prekur nga reforma duke larguar sendet e tyre personale, ndërsa me lot në sy përqafoheshin me kolegët duke u dhënë lamtumirën.
Ndërkohë dhjetëra persona të tjerë qëndronin jashtë godinës së selisë në Uashingtonë duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Faleminderit diplomatëve të Amerikës”, ndërsa disa të tjerë duartrokisnin kolegët e tyre.
Mes tyre ishte edhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.
“Departamenti po përmirëson operacionet e brendshme për t’u përqendruar në prioritetet diplomatike” dhe “shkurtimet janë përshtatur me kujdes për të prekur funksionet jo-thelbësore, zyrat e dyfishta ose të tepërta”, thuhej në një njoftim të brendshëm të Departamentit të Shtetit që iu dërgua stafit më herët.
Shkurtimet nga puna në këtë fazë, prekin 1,107 oficerë të shërbimit civil dhe 246 oficerë të shërbimit të jashtëm me bazë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në total administrata Trump ka parashikuar të largojë rreth 3 mijë punonjës të Departamenti të Shtetit.





