Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në orën 11:00, në një tjetër përpjekje, e 47-ta në radhë për ta konstituuar legjislaturën e re, pas një serie dështimesh të njëpasnjëshme që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Që nga data 15 prill, Kuvendi ka dështuar plot 46 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të tij.

Bllokimi i procesit vjen si rezultat i mungesës së konsensusit ndërmjet partive parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia me numrin më të madh të ulëseve, ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu për postin e kryetares së Kuvendit. Megjithatë, kjo kandidaturë nuk ka arritur të sigurojë përkrahjen e nevojshme nga partitë e tjera.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet në mënyrë të fshehtë. Edhe ky propozim nuk ka arritur të kalojë, duke mbetur pa shumicën e kërkuar në sallën plenare.

Kjo situatë e pazakontë politike po e mban të paralizuar Kuvendin për më shumë se tre muaj, ndërkohë që qytetarët presin formimin e institucioneve të reja për të nisur zbatimin e reformave të premtuara gjatë fushatës zgjedhore.