Autoritetet iraniane kanë sekuestruar një cisternë të huaj në Gjirin e Omanit, e cila dyshohet se po transportonte kontrabandë rreth 2 milionë litra karburant, njoftoi të hënën kreu i gjyqësorit në provincën jugore Hormozgan.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr, cisterna u ndalua gjatë një operacioni të monitorimit të lëvizjeve të dyshimta detare, për shkak të mungesës së dokumentacionit ligjor të ngarkesës që transportonte.
“Gjatë mbikëqyrjes së vazhdueshme të kontrabandës së mundshme të karburantit në Gjirin e Omanit, forcat inspektuese ndaluan një cisternë të huaj, që rezultoi të transportonte ilegalisht rreth 2 milionë litra karburant,” deklaroi Mojtaba Ghahramani, kreu i gjyqësorit të Hormozganit, raporton Reuters.
Sipas autoriteteve iraniane, 17 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë kapitenin e anijes, janë arrestuar. Çështja tashmë është në hetim dhe është regjistruar zyrtarisht në Zyrën e Prokurorit të Qarkut Jask.
Ghahramani shtoi se autoritetet janë në proces të mbledhjes së provave shtesë, verifikimit të dokumenteve dhe analizimit të karburantit të sekuestruar, për të konfirmuar saktësinë e sasisë së deklaruar dhe për të ndriçuar rrethanat e plotë të rastit.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk është bërë i ditur emri i cisternës, flamuri nën të cilin lundronte, apo destinacioni i saj final.





