Teuta ka mbyllur seancat stërvitore në Durrës dhe është zhvendosur në Ohër, ku do të zhvillojë dhe tri ndeshje të forta miqësore me rivalë cilësorë. Do të luhen tre takime. Ndaj Makedonijës, kundër Llapit dhe përballë Vorës. Datat janë respektivisht 18, 21 dhe 24 korrik. Pavarësisht ngarkesave fizike, kjo fazë është e rëndësishme për kapitenin Blerim Kotobelli i cili vlerëson punën që bëhet te Teuta, ndërsa sheh me optimizëm sezonin e ri.

Si është gjendja juaj në këto javë të fazës përgatitore?

Ndjehem shkëlqyeshëm në këtë fazë, gjithçka shkon në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi një grup shumë i mirë dhe kjo më motivon më shumë.

Keni 15 ditë që keni nisur, si po shkon faza përgatitore?

Është normale që faza përgatitore të jetë e lodhshme. Çdo ditë ka vështirësitë e saj dhe nga ngarkesat e larta është e natyrshme të ndjejmë lodhje. Kjo ndikon që në ndeshjet kontrolluese t’i kemi këmbët e rënda dhe në fakt ashtu duhet të jetë, sepse punojmë me intensitet të shtuar. Por do të vazhdojmë paralel me përgatitjet fizike edhe të ndërtojmë lojën dhe formën tonë. Deri në fillim të sezonit të ri besoj se do të jemi maksimalisht të përgatitur.

Një sezon i mirë dhe për ju në aspektin personal, si e shihni të ardhmen?

Unë jam në kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin këtë sezon, për të tentuar të bëjmë mirë. Kategoria Superiore do të jetë shumë e vështirë, pasi ka emra të mëdhenj ekipesh, por ne do të tentojmë maksimumin. Besoj se ka qenë sezon i mirë për mua, por tanimë me një ecuri të mirë rikuperuese për sezonin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim.

Ka Kotobelli një objektiv personal te Teuta?

Objektivat personalë, rekorde apo statistika, për mua janë të pavlera nëse nuk janë në shërbim të ekipit. Për mua rëndësi ka që të bëj më të mirën për skuadrën e Teutës. Ai do të jetë objektivi im personal.

Çfarë prisni nga sezoni i ri?

Kemi skuadër shumë cilësore dhe besoj se do të luftojmë për të arritur sa më lart në renditje, por është fusha ajo që do tregojë se çfarë do të marrim nga sezoni që është në prag.