Ohri ka mirëpritur dje Teutën, ku edhe ka zhvilluar seancat stërvitore. Një nga futbollistët kyç të ekipit është dhe mesfushori Matias Lloci. Lojtari ka bërë mjaft mirë në këtë fazë përgatitore. Lloci ka folur për ecurinë e kësaj faze te durrsakët dhe ka theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.

Matias, si po shkon faza përgatitore dhe si e vlerësoni gjendjen e skuadrës deri tani?

Mund të them me bindje të plotë se faza përgatitore e zhvilluar deri tani po shkon mjaft mirë. Kemi punuar në kushte mjaft komode dhe me seanca të ngarkuara çdo ditë. Lajm i mirë është që nuk kemi pasur dëmtime dhe kështu kemi pasur mundësinë të punojmë me grup të plotë.

Keni bërë paraqitje të mira në aspektin personal në këtë fazë, si ndiheni?

Unë edhe vitet e tjera kam pasur minutazh dhe formë të qëndrueshme, por këtë sezon, së bashku me klubin kemi pasur ngritje të formës. Synimet e mia kanë të bëjnë me paraqitje sa më të mira e të ndihmoj ekipin të arrijë objektivat sezonalë.

Si ju duket kjo Teutë krahasuar me atë të një sezoni më parë?

Jemi një ekip i formatuar nga e para, ndonëse në skuadër ka ende lojtarë që e njohim njëri-tjetrin. Ajo që shoh deri tani, është se afrimet janë të mira dhe të bëjnë të shpresosh. Megjithatë, më e rëndësishmja është që ata kanë kapur formën më të mirë fizike dhe janë ingranuar me grupin. Unë kam besim se shumë shpejt gjërat do të shkojnë në vendin e vet.

Kampionati pritet që të nisë më 23 gusht, a është gati Teuta?

Kemi edhe shumë ditë në dispozicion dhe duhet që t’i shfrytëzojmë mirë deri në startin e sezonit. Siç e thashë, lojtarët deri tani janë në formën më të mirë të tyre dhe kam besim se 23 gushti do të na gjejë gati.

Edhe sezonin që u mbyll, pretenduat Kupat e Europës, por në fund mbijetuat me shumë vuajtje….

Do t’i shohim gjërat me radhë, pasi, siç e thashë edhe më lart, jemi një ekip i ndërtuar thuajse nga e para dhe nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’i hedhim hapat me radhë e të sigurt. E megjithatë, unë besoj se ky vit do të jetë tërësisht ndryshe për Teutën. Do të bëjmë progres.