Teuta ka bërë disa goditje në këtë merkato. Albi Doka është tashmë zyrtarisht lojtar i Teutës. Mbrojtësi i bashkohet durrsakëve pas eksperiencës me Skënderbeun. Teksa mbrojtja është “blinduar” reparti i sulmit ka qenë problematik, por pritet që brenda 72 orësh të prezantohet afrimi i ri. Kjo bën që vija ofensive të mos jetë më problem për durrsakët, duke shtuar këtu dhe Kapllanin, Beshriaj, Muço, Boçi. Tashmë trajneri ka mundësi zgjedhje me bollëk në këtë fazë për sezonin e ri. Në këtë mënyrë, merkatoja e skuadrës së Teutës mund të fokusohet në role të tjera. Seanca e përgatitjeve të djeshme për durrsakët ka pasur në fokus lojën me top. Ndërkohë, trajneri Dobi i ka mëshuar edhe përgatitjeve taktike. Grupi ka qenë thuajse i plotë, ndërkohë që nuk ka pasur mungesa. Skuadra bregdetare vazhdon fazën përgatitore në qytetin e Ohrit prej 3 ditësh. Trajneri Dobi edhe dje kishte planifikuar 2 seanca stërvitore.
Në prolog të stërvitjes, trajneri u foli futbollistëve për programin stërvitor. Ai insistoi se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim mund të arrinte shumë më lart. Futbollistët gëzojnë formë optimale”. Stafi teknik do të ketë një detyrë të vështirë deri ne riformatimin e plotë të ekipit, ndërsa prej një jave kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri. Me stafin teknik, që nuk do ta ketë të lehtë derisa të riformatohet grupi, skuadra e Teutës po punon fort në disa aspekte, duke nisur nga ana teknikotaktike dhe disiplina, deri te përgatitjet fizike. Tekniku Dobi ka parë të arsyeshme të zhvillojë dhe sot dy seanca stërvitore në ditë, paradite dhe pasdite, me qëllim që skuadra të marrë ngarkesën e nevojshme. Ajo çka është më kryesorja lidhet me faktin që të gjithë futbollistët janë të angazhuar për të kryer me korrektësi të gjithë planin stërvitor.
Grupi prej 23 lojtarësh, gjatë seancës stërvitore të pasdites, fillimisht ka kryer nxehjen dhe më pas ka kryer veprime me top dhe pa top. Përgjatë dy-tri ditëve punë të stafit teknik, skuadra është “shtrydhur” nga një punë me intensitet të lartë. Numri një i pankinës durrsake është shumë kërkues, së pari ndaj vetes dhe më pas ndaj lojtarëve, duke kërkuar seriozitet dhe impenjim maksimal në seancat stërvitore. Deri tani, skuadra ka punuar në disa drejtime duke i kushtuar rëndësi të veçantë sezonit të ri. Edhe në radhët e lojtarëve mbizotëron një atmosferë pozitive, ku të gjithë besojnë se në sezonin e ri do të bëjnë një paraqitje dinjitoze dhe do të sigurojnë suksesin që i mungoi Teutës sezonin e fundit. Sipas asaj që shihet, skuadra është e impenjuar maksimalisht dhe po punon me dy seanca stërvitore në ditë.





