Teuta prej 3 ditësh vijon stërvitjen në Ohër. Durrsakët po punojnë me dy seanca në ditë për të qenë të gatshëm për sezonin e ri. Mesfushori Emiliano Vila ka folur për ecurinë e fazës përgatitore të skuadrës, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.

Si po shkon faza përgatitore në Ohër?

Faza përgatitore po shkon shumë mirë. Përgatitjet po ashtu. Kushtet këtu janë shumë të mira dhe forma jonë vjen çdo ditë në rritje. Atmosfera e krijuar na motivon edhe më shumë. Të gjithë futbollistët premtojmë maksimumin.

Mbyllët një sezonin shumë të mirë në aspektin personal.

Unë, por jo vetëm, sezonin që u mbyll, kemi pasur ngritje të formës. Kjo nuk e shton presionin, por motivin dhe përkushtimin ndaj punës, që është garantuesi i vetëm i suksesit. Gjithsesi, duhet thënë se meritë të veçantë në ngritjen time ka përkrahja e vazhdueshme nga të gjithë në klub.

Të premten do të zhvilloni dhe miqësoren e parë në Ohër, si e shihni?

Kjo miqësore është ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.

Si e shihni këtë sezon të ri, do të jetë më i vështirë?

Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, sepse diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Të bëhemi skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate.

Me çfarë synimi nis ky kampionat?

Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë vitin e kaluar. Parashikoj një kampionat të bukur dhe të ekuilibruar, pasi disa rivalë janë përforcuar, ndërsa të tjerë dëshirojnë të konfirmohen. Të gjithë presim me padurim të fillojë gara.

Cilët janë objektivat e Teutës sivjet?

Të gjithë dëshirojmë të bëjmë më mirë se sa viti i kaluar, kur zhvilluam një kampionat që nuk e priste askush tjetër përveç nesh. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë gjëra më të mira se viti i kaluar.

Çfarë synimesh keni në aspektin personal me Teutën?

Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës, që klubi ta arrijë synimet e tij.