Kriza disa mujore institucionale në Kosovë, e krijuar që pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, për ish-kryeministrin Avdullah Hoti nuk ka përgjegjës vetëm kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por edhe presidenten Vjosa Osmani.

Në një status në rrjetet sociale, Hoti thekson se, mes moskonstituimit të Kuvendit, si kryeministri ashtu edhe presidentja, tashmë kanë hyrë në historinë politike të Kosovës si mashtrues të elektoratit dhe dëmtues të shtetit të Kosovës.

“Në përmbyllje të mandatit të tyre pesëvjeçar në krye të shtetit, po bëjnë përpjekjet e fundit dëshpëruese. I pari, duke i mbajtur të bllokuara institucionet e vendit dhe duke mos iu përgjigjur drejtësisë, ndërkohë që korrupsioni ka lulëzuar gjithandej. E dyta, po përpiqet të gjejë viktimën e radhës për ta mashtruar për një mandat tjetër apo për rikthim në garën politike elektorale. Skena politike është pa ide, angazhim dhe guxim për të ofruar zgjidhje,” tha Avdullah Hoti, ish-kryeministër.

Ish-kryeministri ka qenë i ashpër ndaj Osmanit, që sipas tij, do të mbahet përgjegjëse dhe bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës.