Vora e Teuta po zhvillojnë fazën përgatitore në qytetin e Ohrit dhe pas 4 ditëve stërvitje intensive mes dy seancave ditore, ata kanë gjetur mundësinë ashtu siç ishte edhe programuar kohë më parë për të zhvilluar dhe një miqësore mes tyre. Ishte ky një test, që u ka shërbyer skuadrave për të parë gjendjen e formës fizike të lojtarëve, si dhe disa anë të veçanta individuale të lojtarëve të afruar nga të dyja skuadrat gjatë kësaj merkatoje. Gjithashtu, trajnerët e dy ekipeve si Bellai, po ashtu edhe Dobi, panë nga afër lojën teknike e taktike të lojtarëve në grup, nga të dyja skuadrat, sidomos kjo gjatë pjesës së parë të ndeshjes ku u aktivizuan formacionet titullare. Vora vijon kështu me punën për edicionin e ri. Për ta do të jetë pjesëmarrje historike në Superiore.
Ndeshja nis e bukur me sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat, prova e parë jepet nga Hasa në minutën e 12-të, që kroson në zonë e me kokë kërcen Kasalla e portieri Selmani nxjerr në korne. Pas 7 minutash, janë durrsakët që godasin fort me anë të Vilës dhe topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. E sulmet e të dyja skuadrave vijojnë deri në fund të pjesës së parë, teksa portierët tregojnë formën e tyre të mirë si durrsaku Selmani, po ashtu edhe portieri Vorës Ruçi. Me rrjeta të paprekura, skuadrat shkojnë në pushim. Fraksioni i dytë nis me golat, të cilët u projektuan që në dhomat e zhveshjes e kështu në të 49-tën janë vorakët që kalojnë në epërsi me anë të Kasallës, por dy minuta më pas nuk falin durrsakët, që me anë të Mario Beshirajt sjellin barazimin dhe pas 13 minutash Balla përmbys rezultatin në favor të Teutës. Pas kësaj minute, të dyja skuadrat aktivizojnë lojtarët e stolit, ku sulmet vijojnë e portat rrezikohen por gola të tjerë nuk ka. Kështu merr fund miqësorja Vora – Teuta 1-2.





