Një përvojë të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht tmerruese përjetuan disa turistë britanikë gjatë një safari në lumë në Botsvanë, kur një elefant gjigant sulmoi varkën e tyre në një prej rrugëve ujore të mbushura me krokodilë dhe hipopotamë.

Sipas raportimeve, gjithçka nisi kur udhërrëfyesi lokal, i cili drejtonte edhe barkën, vendosi të afrohej pranë brigjeve të lumit për t’i sjellë turistët më afër një elefanti që po hante kallamishte, me qëllim që të bënin fotografi nga afër.

Fillimisht, situata ishte nën kontroll dhe kapiteni bënte shaka me të pranishmit ndërsa lëvizte mbrapa me kujdes.

Por tensioni u rrit kur motori i barkës ndaloi papritur, duke e lënë mjetin të bllokuar përballë kafshës së madhe. Në atë moment, elefanti 3.3 metra i lartë dhe 5 tonë i rëndë, nisi të vrapojë me shpejtësi drejt barkës, ndërsa udhërrëfyesi, për të qetësuar pasagjerët, tha: “Kur të afrohet më shumë, do të nisim përpara.”

Mirëpo, kur ktheu kokën dhe pa se sa shpejt po vinte elefanti, e humbi qetësinë për një moment, duke kuptuar se përplasja ishte e pashmangshme.

Teksa kafsha afrohej në mënyrë kërcënuese, kapiteni përpiqej ta shpërqendronte duke duartrokitur dhe duke i bërtitur, por përpjekjet ishin të kota.

Elefanti i tërbuar goditi barkën, duke përdorur tuskët e tij të fuqishëm për ta ngritur pjesën e përparme të saj në ajër. Turistët u rrëzuan nga vendet e tyre dhe aparatet fotografike u përplasën në dysheme, ndërsa gjysma e barkës qëndronte pezull mbi lumin plot rreziqe.

Fatmirësisht, tuskët e elefantit rrëshqitën, dhe barka ra me forcë në ujë, por pa u përmbysur. Kafsha vazhdoi të sulmonte edhe tre herë të tjera, por nuk arriti të fundosë mjetin. Pas pak, elefanti u largua nga vendi i ngjarjes.

Mrekullisht, askush nga turistët nuk u lëndua, edhe pse ndodhej në një mjedis tejet të rrezikshëm ku krokodilët dhe hipopotamët janë një kërcënim i përhershëm.

Sipas organizatave ndërkombëtare, elefantët janë përgjegjës për rreth 500 vdekje çdo vit në Afrikë, duke e bërë këtë ngjarje një kujtesë të fortë për forcën e papërmbajtshme të natyrës dhe nevojën për kujdes maksimal në aventurat e egra.