Një 61-vjeçar ka pranuar se ka kryer tri herë vjedhje në të njëjtin restorant në Londër, duke marrë gjithsej verëra në vlerën prej 24 mijë paundësh nga bodrumi i lokalit.

Sipas raportimeve të BBC, autori, i identifikuar si Iuliu Kubola, u arrestua nga policia pasi një oficer e njohu rastësisht pas shpërndarjes së një njoftimi informues.

Më 6 qershor, kamerat e sigurisë filmuan momentin kur Kubola përdorte një kazan të madh plehrash për të transportuar dhjetëra shishe verë nga restoranti deri te biçikleta e tij me tre rrota, të cilën e kishte parkuar jashtë lokalit.

Më 15 qershor u rikthye dhe vodhi edhe tre shishe të tjera, ndërsa më 19 qershor bëri një përpjekje të fundit, por nuk arriti të marrë asgjë. Ai u arrestua tre ditë më vonë.

Kubola ka pranuar fajësinë për të treja vjedhjet dhe do të dalë para gjykatës në shtator. Deri tani, policia nuk ka bërë të ditur nëse ka arritur të gjejë ose të rikuperojë verërat e vjedhura.