Një qytet turistik francez ka vendosur gjoba për njerëzit që ecin lakuriq ose me rroba banje kudo tjetër, përveç plazhit.
Autoritetet në Les Sables d’Olonne, të vendosura në rajonin Vendée në bregdetin Atlantik të Francës, kanë njoftuar gjoba deri në 150 euro për ata që ecin nëpër qytet “gjysmë të zhveshur”, sipas një postimi në Facebook nga kryebashkiaku Yannick Moreau, të publikuar të martën.
Duke sulmuar ashpër burrat pa bluzë, Moreau kritikoi “sjelljen e pahijshme”. “Është çështje respekti për vendasit që nuk duan që njerëzit të enden nëpër qytetin e tyre gjysmë të zhveshur”, shkroi ai.
“Është gjithashtu një rregull për higjienën bazë në tregjet, dyqanet dhe rrugët tona”, shtoi Moreau, i cili i bëri thirrje policisë lokale të sigurojë që rregulli të zbatohet.
“Nëse doni të tregoni gjoksin dhe pantallonat tuaja më të mira të notit në Les Sables d’Olonne, keni 11 kilometra plazh në dispozicion”, tha ai.
Postimi i Moreau u shoqërua nga një imazh i një posteri që njoftonte gjobën, së bashku me sloganin “Në Les Sables d’Olonne, respekti nuk shkon me pushime”.
Duket se ky veprim është pritur mirë, me shumë përdorues të Facebook-ut që kanë lënë komente pozitive nën postimin e kryetarit të bashkisë.
Megjithatë, disa sugjeruan se ka gjëra më të rëndësishme për t’u shqetësuar, siç është përballja me krimin. Les Sables d’Olonne është i fundit në një sërë qytetesh franceze që po marrin masa drastike ndaj asaj që shihet si sjellje mosrespektuese.





