Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë mesditë në lumin Mat, ku dyshohet se një person është zhdukur gjatë peshkimit.

Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 13:40, Policia e Lezhës është njoftuar nga shtetasi P. N., banues në Rrubik, se shoku i tij, D. Q., ishte futur në ujë për të hedhur rrjetat e peshkimit dhe nuk ishte rikthyer më në sipërfaqe.

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet për gjetjen e personit të zhdukur. Ndërkohë, pritet ndërhyrja e ekipit të palombarëve të RENEA-s për të vijuar kërkimet në ujë.

Grupi hetimor ndodhet gjithashtu në vendin e ngjarjes dhe po punon për të sqaruar rrethanat e incidentit.

Ngjarja ka shqetësuar banorët e zonës, ndërsa autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë aktiviteteve në ambiente ujore.