Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar ish-prezantuesen e Fox News, Jeanine Pirro, si Prokurore Federale të Washington, DC, duke përmbyllur kështu një proces të zgjatur pas tërheqjes së kandidatit të parë të propozuar nga Presidenti Donald Trump.

Pirro, e njohur për karrierën e saj si prokurore në nivel lokal dhe më pas si gjyqtare e zgjedhur, u miratua të shtunën me 50 vota pro dhe 45 kundër. Para se të emërohej si prokurore e përkohshme për Distriktin e Kolumbias në maj, ajo ishte bashkë-prezantuese e emisionit “The Five” në Fox News, ku shpesh zhvillonte intervista me Donald Trump.

Presidenti Trump u detyrua të tërhiqte kandidaturën e mëparshme, Edward Martin Jr., një aktivist i njohur konservator, pasi një senator republikan deklaroi se nuk mund ta mbështeste për shkak të qëndrimeve të tij pro protestuesve që sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021.

Ky nuk është rasti i vetëm i përfshirjes së figurave nga televizioni në administratë. Ndër emërimet e tjera nga Fox News përfshihen edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ish-prezantues i “Fox & Friends Weekend”, dhe Sekretari i Transportit, Sean Duffy, ish-garues i reality show-ve dhe më pas bashkë-prezantues në Fox Business.