Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen makabre të 35-vjeçarit Alessandro Venier në Gemona të Italisë. Bëhet me dije se është zbuluar telefonata e partneres kolumbiane të viktimës me numrin e emergjencës 112. Siç raportojnë mediat italiane, operatorja e 112 u tha karabinierëve se Mailyn, kishte kërkuar ndihmë për të ndaluar vjehrrën.

“Jo, Lorena… Ndihmë… Ejani në Via dei Lotti. Vjehrra ime do ta vrasë djalin e saj,” ka thënë bashkëshortja e viktimës.

Kur mbërritën në shtëpinë në Gemona, Lorena Venier u përpoq të ndalonte nusen e saj që të fliste. Ndërsa pak më vonë u gjet në garazh trupi i copëtuar i të birit që ishte i mbuluar me gëlqere të papërpunuar të blerë në internet disa ditë para krimit. Provat e reja mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjes, e cila për momentin është e bazuar në rrëfimin e nënës së Alessandro Venier.

Gjatë marrjes në pyetje, ajo deklaroi se i biri ishte i dhunshëm dhe se jeta e nuses së saj ishte në rrezik. Kjo ndodhi edhe sepse Alessandro Venier i kishte thënë nënës së tij se ai, partnerja dhe vajza e tyre do të largoheshin (të shtunën, më 26 korrik, një ditë pas krimit) për t’u zhvendosur përgjithmonë në Kolumbi.

Pas ngjarjes makabre nëna rrëfeu se kishte bërë “diçka monstruoze” dhe dha detaje të vrasjes. Së pari, sipas rrëfimit të saj, ajo dhe nusja e saj kishin tretur një substancë narkotike në limonadën që i kishin dhënë Venier. Por më pas, ai ishte ende gjallë, kështu që Lorena, me profesion infermiere, i bëri dy injeksione insuline për ta lënë pa ndjenja. Pastaj u përpoqën ta mbytin me duar, por kur dështuan, sipas saj “Mailyn e mbyti me lidhëse këpucësh”.

Pasi vrasja përfundoi, nëna dëshmoi se e copëtuan trupin në copa me një prerës drush zjarri dhe e fshehën në një kovë të mbuluar me gëlqere, të blerë në Amazon.

“Do ta çoja në male dhe ta braktisja atje, ku ai tha se donte që të vendoseshin eshtrat e tij. Mendonim se mund të bënim gjithçka vetë: pasi të copëtohej, do të na duhej vetëm të prisnim përpara se ta çonim në male”, shprehet nëna.

Megjithatë, sipas avokates së gruas kolumbiane, ky rrëfim duhet të rishikohet të paktën pjesërisht. Ajo i tha Corriere del Veneto se Mailyn ka disa mavijosje të kohëve të fundit në krahë. Kur u pyet se si ia kishte marrë, “u përgjigj se ia kishte bërë vjehrra”. Dhe nëse ky detaj konfirmohet, do të ishte e nevojshme të përcaktohet nëse rrëfimet e Lorena Venier për dhunën e të birit janë të vërteta.

Burime hetimore kanë zbuluar se Alessandro Venier kishte një histori sjelljeje të dhunshme dhe ishte pushuar nga puna për shkak se kishte goditur një koleg. Megjithatë, mavijosjet mund të jenë gjithashtu rezultat i një sherri në momentin kur Marilyn telefonoi në 112. Lorena Venier raportoi se plani ishte të pritej dhe pastaj të hidheshin eshtrat, por Mailyn pati një krizë dhe telefonoi.