Teuta vijon fazën përgatitore në Poloni prej 7 ditësh, duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë si pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri. Mesfushori Emiliano Vila, ka folur mbi ecurinë e stërvitjeve, atmosferën në skuadër dhe pritshmëritë për sezonin e ardhshëm. Vila u shpreh se gjithçka po shkon në mënyrë optimale dhe se ekipi po punon me seriozitet maksimal. “Çdo ditë po ndjejmë përmirësim. Kushtet janë shumë të mira dhe atmosfera në klub është pozitive. Kjo na motivon të japim maksimumin,” deklaroi ai. Duke reflektuar për sezonin e kaluar, Vila tha se e ndjen se ka pasur një rritje të ndjeshme në formë, në harmoni me progresin e skuadrës. “Nuk më shton presionin, përkundrazi, më jep më shumë motivim dhe përgjegjësi. Një pjesë e madhe e rritjes sime ka ardhur nga përkrahja e madhe që kam marrë nga klubi,” theksoi ai.
Teuta do të zhvillojë të enjten ndeshjen e dytë miqësore në Poloni, të cilën Vila e sheh si një test fizik për ekipin. “Kemi kohë të mjaftueshme për të qenë gati për nisjen e sezonit,” tha ai.Sa i përket sezonit të ri, Vila nënvizoi se kampionati do të jetë i balancuar dhe se skuadra nuk fokusohet te kundërshtarët, por te vetja. “Diferencat në kampionatin shqiptar janë të vogla. Synimi ynë është të jemi një skuadër sa më e konsoliduar dhe të arrijmë rezultate,” u shpreh ai. “Dëshira është të bëjmë më mirë se sezoni i kaluar, që ishte shumë i mirë dhe surprizoi shumëkënd. Kemi besim në aftësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm që mund të bëjmë më shumë,” deklaroi Vila. Në fund, Vila shtoi se synimi i tij personal është i qartë: të japë maksimumin për ekipin dhe të ndihmojë Teutën në arritjen e objektivave të saj.





