Qeveria e Libanit ka urdhëruar ushtrinë të hartojë një plan për të siguruar që vetëm institucionet shtetërore të posedojnë armë deri në fund të vitit, në një përpjekje për të çarmatosur grupin militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani.

Njoftimi erdhi nga kryeministri Nawaf Salam pas një mbledhjeje gati gjashtë orëshe të kabinetit qeveritar.

Ai bëri të ditur se plani duhet të përgatitet brenda këtij muaji për diskutim dhe miratim. Pas takimit, Salam theksoi “detyrën e shtetit për të monopolizuar posedimin e armëve”, sipas raportimit të Agjencisë Kombëtare të Lajmeve (NNA) në Liban.

Ky vendim vjen pas presionit të fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj Bejrutit, përfshirë edhe vizitën e dërguarit amerikan Tom Barrack në korrik, i cili kërkoi një qasje më vendimtare ndaj çarmatosjes së Hezbollahut.