Teuta e këtij sezoni ishte një skuadër e krijuar thuajse nga e para.
Prej muajit dhjetor, drejtimin e ekipit e mori trajneri Edi Martini, ndërkohë që tashmë blutë po konkretizojnë një mbyllje perfekte, sepse janë drejt arritjes së objektivit Europë, por gjithashtu në finalen e Kupës.
Një nga shpërthimet e këtij sezoni ka qenë te durrsakët sulmuesi i krahut, Lorenco Vila.
Ai shprehet se Teuta e ka kualitetin për të shkuar në Kupat e Europës, teksa tashmë këtë objektiv thuajse e ka prekur me të dyja duart. Kundërshtarin e radhës, Flamurtarin, Vila e vlerëson mjaft, por beson se në Vlorë skuadra e tij do të marrë pikët e plota.
Ju kënaqi barazimi ndaj Partizanit?
Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe i druheshim edhe faktit që ishim disi të ngarkuar, pasi vetëm 3 ditë më parë harxhuam shumë energji ndaj Kukësit. Gjithsesi, në fund jemi të kënaqur me mënyrën e lojës dhe me rezultatin e arritur, sepse përballë kishim një kundërshtar mjaft të fortë. Rëndësi ka që ruajtëm distancën prej katër pikësh dhe hodhëm një hap të sigurt për objektivin Europë.
Mundë të themi se Teuta tashmë e ka vulosur Europën?
Ka edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Jemi pranë objektivit, por na duhet një fitore ndaj Flamurtarit që të jemi më të qetë dhe të mendojmë për finalen e Kupës. Kjo është e vetmja zgjidhje për ne në momentin që flasim.
Sfida e radhës kundër Flamurtarit, një kundërshtar që ju ka hapur punë në fazën e tretë?
Është normalisht një ndeshje e vështirë përballë një ekipi që gjithmonë duhet të jesh i përqendruar. Flamurtari ka rënë në Kategorinë e Parë, por ne duhet të jemi të përqendruar dhe të japim maksimumin tonë në këtë ndeshje. Nga minuta e parë deri në minutën e fundit nuk duhet t’i japim mundësi kundërshtarit të na kapë në befasi. Jemi të dënuar të fitojmë. Teuta kudo ku shkon objektiv ka fitoren dhe kjo nuk është risi, qoftë ndaj Flamurtarit apo çdo ekipi tjetër.
Jeni i kënaqur me ecurinë e deritanishme?
Presidenca e ka ndërtuar këtë ekip për të marrë gjithnjë maksimumin. Deri më tani po bëjmë mirë, por llogaritë do të bëhen kur të mbyllet sezoni.
Ku e shikoni Teutën pas mbylljes së këtij sezoni?
Ky kampionat është pak më i komplikuar. I shoh të gjitha ekipet të barabarta, nuk ka asnjë që mund të bëjë diferencën. Do të jetë i luftuar deri në fund, përjashto titullin kampion. Përderisa matematika i mban në lojë skuadrat për Europën dhe vendin e tetë, besoj se java e 35-të do të vendosë gjithçka. Synimet tona dihen tashmë, duam të sjellim Kupën në Durrës dhe pse jo ta mbyllim të tretët.





