Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se sot është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të autoblindave të reja për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat janë blerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe atasheu ushtarak amerikan në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shau.

Kurti e cilësoi këtë furnizim si dëshmi të qartë të lidhjes së fortë me SHBA-të. “Këto autoblinda moderne përforcojnë mbrojtjen e vendit dhe janë dëshmi e qartë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me aleatin tonë më të madh, SHBA-në,” deklaroi ai.

Ai shtoi gjithashtu se zhvillimi i ushtrisë së Kosovës do të vazhdojë përkrah ushtrisë amerikane, jo vetëm përmes pajisjeve, por edhe përmes trajnimeve, arsimit ushtarak dhe ndërtimit të doktrinës mbrojtëse të bazuar në modelin amerikan.