Policia e Durrësit vijon operacionin e koduar “Last Threat”, duke arrestuar një 40-vjeçar dhe duke shpallur në kërkim një 49-vjeçare, të dy me masa sigurie “arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Durrësit arrestuan në flagrancë R. L., 40 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, ndërsa në kërkim është shpallur A. H., 49 vjeçe, banuese në Durrës.

Sipas hetimeve, 49-vjeçarja, duke qenë në arrest shtëpie, i ka ofruar marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës një 44-vjeçari. Në të njëjtën kohë, 40-vjeçari R. L., gjithashtu nën masën “arrest në shtëpi” për veprimtari të mëparshme kriminale, e ka goditur dhe i ka marrë me dhunë celularin dhe një shumë parash.

Të dy veprimet kriminale lidhen me bashkëpunimin e tyre të mëparshëm në kuadër të operacionit “Last Threat”, të zhvilluar në prill.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.